TE CEPI I PALLATIT.
Njeriu qan shumë herë gjatë jetës. Nga dhimbjet,prej humbjeve,nga aksidentet,nga zhgënjimet. Edhe prej dashurisë së pafat,siç qan prej gëzimeve të mëdha,befasive,frikës,ankthit.
Por kokrra më e madhe e lotit i del prej turpit. I rrëshqet lot i madh,i rëndë,i lagur deri në palcën e vet. Lot i njomur,i bërë qull,lot për t’u shtrydhur.
Një ngashërim të këtij lloji kam jetuar shumë e shumë vite më parë. Më ka lënë kaq shenjë sa nuk besoj se kur të ndërroj jetë do më shkulet ai turp,ajo njollë.
Ngjarja nis një mbasdreke dimri,një nga ato ditë të ftohta kur toka bëhet beton nga ngrica dhe retë janë aq të zymta sa muzgun e bëjnë të duket më i zi. Po kthehesha nga ditëlindja e një shoku. Normal atje ishim gëzuar,kishim kërcyer si maturantë e në kthim,kur afrohem tek cepi i pallatit,shoh një karrocë me dru zjarri shkarkuar bash para hyrjes sonë. Luta zotin mos t’i përkisnin familjes sime se në atë të ftohtë edhe ky avaz më duhej.
Por jo,isha pa fat. Pashë që nga shkallët e pallatit doli babai me një thes në dorë. E mbushi dhe e hodhi mbi kurriz. Kuptohej thes i rëndë se atë burrë 40 vjeçar gati e përkuli përtokë. Bëra ca hapa para dhe pastaj fap…u zbytha. U futa sërish te cepi i pallatit. Vendosa të rrija atje deri sa babai t’i çonte lart të gjitha. Ndërkohë po numëroja rrugët që ai bënte me thes në kurriz.
E ftohta më gllabëroi. Po kërceja pupthi të ngrohesha pak. Nisa të dridhem si para një gripi të egër. Errësira ndërkohë mbuloi gjithçka. Veç një llampë e zbehtë në oborr tregonte siluetën e babait. Ngjante ai si pikturë e Gojës vizatuar me laps. Një burrë i përkulur nga një thes i rëndë. Pas thuajse një ore kokërr druri nuk kishte më në oborr. Babai me siguri lart në banesë ato çaste po i vendoste në rradhë drutë që ngriti.
Ndenja dhe pak e u ngjita me vrap. Gjoja si i gëzuar prej ditëlindjes. Madje duke fishkëllyer. Derën ma hapi nëna dhe në korridor shoh një grumbull drurësh të prerë. I merrte babai dhe i vendoste te depoja.
Nuk arrita të them,ore po pse nuk më pritët mua,ore unë në ditëlindje isha nuk kisha shkuar në Tiranë,ore më keni mërzitur që silleni kështu se pak lodheni në punë,por dhe ngjitja e drurëve u duhej,se… Por ndërhyri babai e ma preu ligjëratën time heroike. I tha nënës:
-O grua,jepi djalit një çaj të nxehtë se do na marrë plevitin. Bëri plot dy orë që rri atje tek cepi i pallatit duke më parë mua e duke më numëruar thasët që hidhja në kurriz.
U stepa,nuk dija ç’të thoja! Më erdhi në sy ai loti i rëndë si plumb. Që rrëzohej në dysheme dhe bënte aq zhurmë njësoj sikur shpëtonte nga dora tenxherja e mbushur me gjellën e nxehtë. Një hidhësi në fyt. Jo që gënjeva,por që me dëshirë ia hodha babait tim,e lashë pa ndihmë atë që kurrë,po kurrë nuk mendoi për veten para meje.
E më erdhën varg sakrificat, përkujdesjet, puthjet, përqafimet, ankthet e tij për shëndetin e për jetën time. Çdo gjë më dukej si pa ekuilibër. E kisha prishur unë,kisha ciflosur boshtin.
Nëna e kuptoi që aty për aty asgjë nuk ndreqej. Më futi në dhomën e nuk dola deri sa një ditë babai hyri duke qeshur. Më tha:
-Kur të vijnë drutë e tjera vitin tjetër je i dënuar. T’i ngjitësh e ti stivosësh ti,pa ndihmë.
Ky dënim ishte si dorë e shtrirë. Asnjëherë nuk ma kujtoi,unë asnjëherë nuk e harrova turpin. E ndjej edhe tani skuqjen,ndërsa më duket se babai qesh nga atje lart. T’i them,nuk e përsëris është si shaka,por në fakt nuk ndodhi kurrë një gafë e tillë mes ne të dyve. Kurrë. Mjaftoi një herë të dënoj veten përherë.
E kur vëllai më thotë:
-Ore po pse e tregon kohë e pa kohë këtë gabim? E kupton që nuk është medalje sjellja jote?
Nuk jap shumë shpjegime. Por e sqaroj me pyetjen:
-Pi ilaçe për tensionin ti?
-Po.
-Për sa kohë?
-Për gjithë jetën më rekomandoi doktori.
-Kështu dhe gabimi im. Është si sëmundje. Kur e tregoj më duket sikur pi ato tabletat e tua të bardha. Është shërim ky rrëfim.është pendim,por dhe mësim.