Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë ka festuar 75-vjetorin e krijimit të tij, një moment historik për artin dhe kulturën shqiptare. Kjo ngjarje përkujton lindjen e një institucioni që prej më shumë se shtatë dekadash është shndërruar në një qendër të rëndësishme artistike dhe shpirtërore për qytetin e Korçës dhe për të gjithë artdashësit shqiptarë.
Nën moton “Një udhëtim artistik mes traditës dhe risisë”, përvjetori u shënua me një atmosferë festive ku u përmblodh historia e këtij institucioni të dashur, i cili ka mirëpritur në skenën e tij qindra shfaqje teatrore, nga dramat klasike dhe moderne, te komeditë popullore që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive.

Drejtoresha e Teatrit, Zamira Kita, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e këtij institucioni si një vatër frymëzimi, reflektimi dhe rritjeje artistike ndër vite.
Ndërsa aktori i njohur Koço Qendro kujtoi me emocion përjetimet në këtë skenë, e cila ka qenë shtëpia e shumë emrave të mëdhenj të teatrit dhe filmit shqiptar.
Në kuadër të festimeve, u shfaq edhe një dokumentar i përgatitur nga aktorja Merita Çoçoli, që solli në vëmendje rrugëtimin e teatrit ndër vite, duke nderuar kontributet dhe figurat që kanë lënë gjurmë.
Teatri “Andon Zako Çajupi” vijon të mbetet një hapësirë e hapur për talentet e reja, duke ruajtur balancën mes ruajtjes së traditës dhe përqafimit të risive në skenën bashkëkohore.


