Trupa e Teatrit të Kukullave “Piro Xëci” nga Pogradeci ka qenë pjesë e edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Kukullave “Bitolino”, i zhvilluar në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut.
Artisët pogradecarë u ngjitën në skenë me shfaqjen për fëmijë “Pabesi në Pyllin e së Mirës”, me tekst të Andi Kostës, regji të Dhimitraq Tasellarit dhe skenografi të Enxhel Gegpriftit. Pjesa u mirëprit nga publiku, duke u vlerësuar për lojën e aktorëve, ruajtjen e traditës së teatrit të kukullave dhe për mesazhin e saj frymëzues: të bëjmë një botë më të mirë përmes mirësisë dhe besnikërisë.
Festivali “Bitolino”, i organizuar çdo vit nga Teatri “Babec”, sjell në gusht në Manastir trupa profesioniste të teatrit për fëmijë nga vende të ndryshme të botës.


