Teatri Kombëtar i Kukullave solli këtë fundjavë në qytetin e Ersekës shfaqjen “Smërfët dhe Gargamela”, duke ofruar emocione të veçanta dhe momente të paharrueshme për fëmijët e qytetit. Aktiviteti u prit me shumë entuziazëm nga të vegjlit, të cilët u përfshinë plotësisht në atmosferën e ngrohtë dhe argëtuese të krijuar nga aktorët.

Regjisori i shfaqjes, Nelson Mulla, e cilësoi atë si një shfaqje interaktive, ku personazhet ndërveprojnë drejtpërdrejt me publikun e vogël, duke e bërë përvojën edhe më të afërt dhe të gjallë.

Në rolin e Gargamelës u ngjit në skenë aktori Elidon Alika, i cili ndau përvojën e tij me këtë personazh energjik dhe lidhjen e veçantë që ai krijoi me fëmijët gjatë interpretimit. Ai theksoi se emocionet e publikut të vogël e bënë këtë shfaqje edhe më të veçantë.

Shfaqja tërhoqi një numër të madh fëmijësh, të cilët ndoqën aventurat e Smërfëve dhe përballjen me Gargamelën. Shfaqjen e mbushën të qeshurat, duartrokitjet dhe gëzimi i të vegjëlve, që e jetuan çdo moment të shfaqjes me emocione të forta. Kjo ngjarje dëshmoi edhe një herë rëndësinë e aktiviteteve artistike për fëmijët dhe fuqinë që ka teatri për të krijuar kujtime të bukura që zgjasin gjatë.


