Për të 31-in vit radhazi, Pogradeci ka mbajtur festën tradicionale të Verës Artizanale dhe Gështenjës, një ngjarje që mbledh çdo vit banorë të zonës dhe vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit. Festimi nuk është vetëm një mundësi për argëtim dhe muzikë, por edhe një garë për verërat artizanale dhe kantinat shqiptare, me qëllim promovimin e prodhimeve vendase dhe ruajtjen e traditës bujqësore.
Entela Gusho, zv/kryetare e Bashkisë Pogradec, theksoi:
“Është viti i 31 që festohet festa e verës dhe gështenjës. Kjo nuk është vetëm një festë argëtimi, por edhe një konkurs ku kantinat shqiptare dhe artizanët konkurrojnë për verën e kuqe, të bardhë dhe këtë vit edhe për verën rozé. Thirrja jonë për të rinjtë dhe agrobizneset është të shtojnë vreshtarinë dhe të ruajnë gështenjat, sepse ato janë elemente identitarë të zonës. Përveç argëtimit, kjo festë synon të promovojë qytetin dhe të tërheqë turistë për një turizëm 4-stinor.”
Dashamir Elezi, degustator, shtoi:
“Verërat e Pogradecit kanë karakter të veçantë, të fermentuara natyralisht në bute druri. Stil dhe teknika të tilla e bëjnë këtë verë të krahasueshme me prodhimet natyrale ndërkombëtare. Nëse etiketohen dhe paketohen siç duhet, ato mund të vendosen edhe në tryezat botërore.”
Përveç verës, gështenja zë një vend të veçantë në këtë festë. Rogen Karafili tregoi se parcelat e gështenjave po zgjerohen dhe turistët po mësohen të shijojnë këtë produkt tradicional:
“Turistët kërkojnë gështenjë të pjekur dhe verë artizanale pogradecare, duke bërë kështu një kombinim perfekt të traditës lokale.”
Pogradecarët ruajnë me shumë dashuri traditën e verës. Andi Klemente tha:
“Dimë ta pijmë dhe ta bëjmë, siç thoshte Mitrush Kuteli. Nuk ka shtëpi pa bute në Pogradec, dhe procesi i prodhimit të verës kërkon përkushtim dhe dashuri. Vera pihet gjithmonë me miq dhe të afërm.”
Për dy netë me radhë, Pogradeci mirëpret me verë buti, muzikë dhe argëtim mijëra qytetarë dhe vizitorë, ndërsa në fund ndahen edhe çmimet për verën më të mirë artizanale, verën më të mirë të kantinave, si edhe për pikturën dhe poezinë më të bukur kushtuar verës.
Pogradeci, edhe këtë vit, dëshmoi se vera dhe gështenja janë pjesë e identitetit të tij kulturor dhe mikpritës, duke ofruar një përvojë unike për vizitorët.


