Me hyrjen e stinës së vjeshtës, bimët medicinale në natyrë pakësohen, por një ndër më të përhapurat dhe më të vlefshmet mbetet trëndafili i egër (Rosa canina). Ky vit ka sjellë një ngarkesë të mirë prodhimi, duke i bërë frutet e tij një pasuri natyrore për shëndetin.
Frytet e trëndafilit të egër janë të pasura me vitaminë C, vitaminë P, vitaminë A, acide organike, taninë dhe esenca natyrale. Çaji i përgatitur prej tyre ndihmon në pastrimin e aparatit tretës, rrit rezistencën e organizmit ndaj sëmundjeve infektive dhe lehtëson pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes.
Vjelja e frutit nis në fazën e pjekjes teknike, kur ngjyra kalon nga e verdhë-kuqërremtë deri në kuqe të plotë. Pas mbledhjes, tharja rekomandohet të bëhet në ambiente të freskëta, nën hije, për të ruajtur vlerat ushqyese.
Përveç çajit, nga ky frut mund të përgatitet edhe verë natyrale për konsum familjar. Receta është e thjeshtë: në 10 litra ujë shtohen 3 kg kokrra trëndafili të egër dhe 1 kg sheqer. Pija e përftuar, e shëndetshme dhe e këndshme në shije, këshillohet të konsumohet në sasi të moderuara, deri në 2-3 gota në ditë.


