Ditët e fundit është folur shumë për të ardhmen e sulmuesit egjiptian Saleh Nasr, i cili u përfol për një largim të mundshëm nga Skënderbeu. Por tashmë gjithçka ka marrë përgjigje përfundimtare: Nasr do të mbetet pjesë e bardhekuqve.
Burime pranë klubit korçar konfirmojnë se futbollisti do të jetë sot në seancën stërvitore nën urdhërat e trajnerit Ernest Gjoka, duke i dhënë fund çdo dileme lidhur me të.
Kujtojmë se javën e kaluar Nasr u përfshi në një incident jashtë fushës, por çështja është mbyllur dhe marrëdhëniet janë rikthyer në normalitet. Prania e tij në skuadër konsiderohet një lajm mjaft pozitiv për Skënderbeun, pasi egjiptiani është një lojtar me vlera të mëdha dhe pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në sezonin e ri.


