Rreth 6 mijë banorë në fshatrat Udënisht dhe Memëlisht në Pogradec furnizohen me ujë vetëm 1 orë në ditë. Bashkia ka tenderuar 180 milionë lek për ndërtimin e ujësjellësit të ri por punimet ende s’kanë përfunduar edhe pse afatet kane kaluar prej me shumë se dy vitesh.
Në korrik të vitit 2020 Bashkia e Pogradecit lidhi kontratën prej 180 milionë lekësh (1.8 mln euro) për ndërtimin e ujësjellësit Udënisht-Memëlisht.
Sipas kontratës 18 mujore, ujësjellësi duhet të përfundonte në fund të vitit 2021, siç shkruhet edhe ne faqen zyrtare të bashkise, por edhe pse kanë kaluar 2 vite e gjysmë uji ende mungon në shtëpitë e gati 6 mijë banorëve në dy fshatra.
“Uji vjen gjysmë ore më mëngjes dhe gjysmë ore në darkë. Shumë pak rrjedh në çezmë. Nuk del për asgjë! Ne mbushim këtu në çezmëne fshatit. E mbajmë në krah deri në shtëpi. Për të larë e përdorim këtë se për të pirë e blejmë. Problem është shumë në verë se në dimër vjen…”
Kryeplaku i Memëlishtit, Kristo Vako thotë se është shtruar rrjeti i ri i ujësjellesit, por problemi qendron tek depozitat pasi nuk jane shfrytezuar te gjitha burimet ujore të fshatit.
Kontaktuam në telefon me kryeinxhinierin i cili tha vepra nuk është marrë ende në dorëzim nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve. Ndërsa një zyrtar i Bashkisë se Pogradecit jashtë kameras tha se punimet po vazhdojne duke thelluar burimet e “galerisë” dhe bashkimin e rrjetit me të gjitha burimet. Po sipas tij, përpos punimeve problem është dhe shpërdorimi i ujit të për vaditje nga banorët e këtyre fshatrave.