Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës vijon procesin e transformimit akademik, duke u bërë më pranë nevojave të tregut dhe zhvillimeve të rajonit. Në këtë kuadër, një takim konsultativ u zhvillua në qytetin e Pogradecit, me fokus të veçantë hapjen e një programi të ri studimi në nivel “Master Shkencor”, në fushat e Bujqësisë, Turizmit dhe Gjeografisë.
Takimi mblodhi së bashku aktorë lokalë dhe rajonalë, përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe grupeve të interesit, të cilët dhanë kontributin e tyre për ndërtimin e një programi studimi të përqendruar te kërkesat reale të tregut dhe zhvillimit të zonës.
Në këtë aktivitet morën pjesë Departamenti i Marketing-Turizmit, Departamenti i Histori-Gjeografisë dhe Departamenti i Agroushqimit, duke sjellë ekspertizën akademike në shërbim të bashkëpunimit me komunitetin.
Ky konsultim është një hap konkret drejt përmirësimit të ofertës akademike të UNIKO-s, duke synuar që të përgatisë profesionistë të rinj të aftë për t’u përfshirë menjëherë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.
Universiteti “Fan S. Noli” ka bërë të ditur se do të vijojë me takime të tilla në zona të tjera të qarkut, në funksion të ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm arsimi të lartë, në harmoni me sfidat dhe mundësitë e rajonit.


