Drejtorja e Drejtorisë Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë, Vinjola Rota, ka uruar sot nxënësit, prindërit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor 2025–2026, duke theksuar rëndësinë e një nisjeje të suksesshme dhe të barabartë për të gjithë.
Ja mesazhi i plotë:
Të dashur nxënës, prindër, mësues dhe drejtues të shkollave, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025–2026, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë ju uron një vit të mbarë, plot suksese dhe përvoja të reja në rrugën e dijes. Këtë vit, në bankat e shkollave të DRAP Korçë do të ulen mbi 58000 mijë nxënës, prej të cilëve 4000 nxënës do të nisin klasën e parë. Për ta, sot hapet një kapitull i ri: udhëtimi i bukur drejt botës së dijes, i mbushur me kureshtje, mësime të para dhe kujtime që do t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës.
Në këtë vit shkollor është siguruar shpërndarja 100% e të gjitha teksteve shkollore për të gjithë nxënësit. Në mënyrë të veçantë, nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë përfitojnë tekste të reja falas, duke garantuar një fillim të barabartë dhe cilësor në arsimin bazë. Të gjitha institucionet arsimore janë përgatitur për vitin shkollor duke siguruar mësues të kualifikuar për çdo nivel dhe profil, në mënyrë që procesi mësimor të nisë pa asnjë mangësi. Në çdo shkollë është aktiv shërbimi psiko-social, që garanton mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin akademik, emocional dhe social të nxënësve.
Gjatë këtij viti janë përfunduar punimet e rikonstruksionit në 15 shkolla, të cilat tashmë ofrojnë kushte më të mira, më të sigurta dhe më bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit. Për më tepër, në 60 shkolla, rreth 6,000 nxënës të arsimit fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt do të kenë mundësinë të zhvillojnë procesin mësimor në klasa me tabela inteligjente, duke përfituar nga një program krejt i ri për lëndën e teknologjisë së informacionit.
Duke ju uruar një vit të suksesshëm, ftojmë të gjithë aktorët e komunitetit arsimor të japin kontributin e tyre me përkushtim, bashkëpunim dhe frymë pozitive në këtë rrugëtim të përbashkët.
Suksese në vitin e ri shkollor 2025–2026!
Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë.


