Voskopoja, e vendosur 21 kilometra larg Korçës në një lartësi prej 1160 metrash, u themelua në vitin 1330 nga fisniku shqiptar Petro Muzaka dhe u shndërrua gjatë shekullit të 18-të në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, tregtare dhe politike të rajonit. Megjithëse fillimisht ishte një vendbanim i vogël, në periudhën e saj të lulëzimit midis viteve 1730 dhe 1760, popullsia e saj llogaritej nga 35,000 deri në 70,000 banorë, të përbërë nga vllehët dhe një minoritet prej mbi një të tretën shqiptarë.
Gjatë kësaj periudhe, artizanët vendas u specializuan në përpunimin e leshit, lëkurës, argjendit dhe bakrit, ndërsa tregtia u shtri deri në Vjenë, Leipzig dhe Venecie. Në Voskopojë operonte shtëpia e dytë botuese në Perandorinë Osmane pas Stambollit, ku u botuan rreth 19 libra, si dhe institucioni arsimor “Akademia e Re”, i themeluar në vitin 1744 dhe i drejtuar nga Theodore Kavallioti. Qyteti kishte gjithashtu një spital, jetimoren Orphanodioiketerion dhe rreth 24 kisha, ndërsa në vitin 1770 aty u botua fjalori i parë katërgjuhësh nga Daniel Moscopolites.
Rënien e qytetit historianët ia faturojnë një serie sulmesh dhe zhvendosjes së rrugëve tregtare. Voskopoja u sulmua për herë të parë në vitin 1769 pas pjesëmarrjes së banorëve në revoltën e mbështetur nga Perandoria Ruse, ndërsa shkatërrimi kulmoi në vitin 1788 nga trupat e Ali Pashë Tepelenës. Shkatërrime të tjera pasuan nga banda e Sali Butkës në vitin 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe rrafshimi tri herë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga trupat italiane dhe nacionalistët e Ballit Kombëtar.
Sot, Voskopoja është reduktuar në një fshat malor, resort skish dhe vend i shenjtë për të krishterët ortodoksë. Nga era e dikurshme kanë mbijetuar vetëm gjashtë kisha ortodokse, një urë dhe një manastir, ku pesë nga kishat u përfshinë në vitin 2002 në listën e World Monuments Watch.


