Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Goskova”, duke zbardhur vjedhjen e ndodhur më 4 dhjetor 2023 në fshatin Goskovë, ku nga banesa e shtetasit A. S. u vodh një shumë prej 600.000 lekësh të rinj.
Pas një hetimi të thelluar dhe të gjatë, që zgjati rreth dy vjet, u dokumentua me prova ligjore autorësia e kësaj vjedhjeje. Operacioni çoi në arrestimin e një shtetasi dhe në ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për një tjetër shtetas, i cili ndodhet aktualisht në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për një vepër tjetër penale. Gjithashtu, një 16-vjeçar u procedua në gjendje të lirë.
Sipas hetimeve, autorët e dyshuar kanë bashkëpunuar për të detyruar djalin e pronarit të banesës të zbulojë vendndodhjen e çelësit të kasafortës dhe të marrë paratë prej saj. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua shtetasi S. T., 24 vjeç, banues në Korçë, si dhe u ekzekutua masa e sigurisë për shtetasin A. Ç., 21 vjeç, banues në Goskovë.
Të dy janë akuzuar për veprat penale “Vjedhja me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim” dhe “Shtytja e të miturve në krim”. Për të miturin 16-vjeçar, nip i pronarit të banesës, u caktua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.