Prej më shumë se 10 vitesh fshati Zëmblak në bashkinë e Maliqit me 1800 banorë dhe 500 shtëpi vuan mungesën e ujit të pijshëm.
Banorët thonë se nga rezervat ujore të fshatit të tyre marrin ujë të pijshëm fshatrat e tjerë të njësisë administrative Pojan ndërkohë që ky fshat vuan për ujë.
Njëra nga banoret e këtij fshati tha se me shumë vështirësi arrin të sigurojë ujë për të larë enët shtëpiake ndërkohë që për higjienën personale janë të detyruar të lahen në kushte krejt primitive por më shqetësim për banorët është ardhja e fëmijëve të tyre nga emigracioni të cilët për t’u larë shkojnë në të afërmit e tyre.
I kontaktuar, drejtori i ujësjellës kanalizimeve të rajonit të Korçës tha se është gati projekti për investimin e ujësjellësit të ri të këtij fshati, investim që pritet të filloje së shpejti dhe përfundon në fundin e këtij viti.


