Sot, ora 19:00, Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë mirëpret një mbrëmje të veçantë artistike në kuadër të projektit “Zërat e Artit – një karavan nëpër Shqipëri”, organizuar nga AWA dhe financuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Shtatë emra të njohur të artit dhe kulturës shqiptare do të ndajnë me publikun rrëfimet e tyre personale, aty ku gjithçka nisi për ta, në Korçë. Pa skenar dhe pa interpretim, veçse me fjalën e tyre të sinqertë, artistët do të tregojnë historinë e formimit, përvojave dhe dashurisë së tyre për artin dhe publikun korçar.
Në këtë mbrëmje do të ngjiten në skenë:
Josif Minga, Zamira Kita, Koço Qendro, Llazi Balashi, Ilda Pepi, Blerta Belliu dhe Ylli Trajçe, figura të spikatura nga fusha të ndryshme të artit që mbajnë gjallë trashëgiminë kulturore shqiptare dhe frymëzojnë breza të rinj.
Hyrja është falas dhe e hapur për të gjithë dashamirësit e artit dhe kulturës.
Projekti “Zërat e Artit” synon të sjellë më afër komunitetit historitë njerëzore pas figurave të njohura publike, duke udhëtuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe duke vendosur në qendër njeriun pas artistit.


