Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme zonën e Udënishtit në Pogradec, duke shkaktuar panik dhe vështirësi në qarkullim. Për shkak të rrezikut që paraqet, policia ka bllokuar qarkullimin e mjeteve në aksin Pogradec–Qafë Thanë, në dalje të qytetit.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi dhe kanë rrezikuar një pikë karburanti si edhe disa njësi hoteliere pranë zonës. Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse dhe shërbimet emergjente, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll situatën.
Një nga restorantet e zonës është prekur nga zjarri, duke pësuar dëmtime në ambientin e kuzhinës. Fatmirësisht, lokali nuk ishte në funksion në momentin e ngjarjes, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur që pjesa tjetër e godinës të shpëtonte pa dëme të mëdha.
Sipas të dhënave paraprake, shkak i zjarrit dyshohet të jetë një masë elektrike e ndodhur në një kabinë të zonës. Autoritetet mbeten në gatishmëri, pasi kushtet e motit vijojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve.


