Zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e sotme zonën e Tepelenës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe panik te banorët. Flakët, të ndihmuara nga era e fortë, kanë arritur deri në qendrat e banuara, duke shkrumbuar disa banesa dhe një kishë. Autoritetet vendore, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile, kanë urdhëruar evakuimin e mbi 200 banorëve për të shmangur tragjedi të mundshme.
Nga ngjarja janë raportuar edhe 8 persona të lënduar, të cilët kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e zonës, kryesisht për probleme respiratore të shkaktuara nga tymi i dendur. Situata mbetet e vështirë, ndërsa ekipet e ndërhyrjes vijojnë punën për izolimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes në zona të tjera të banuara. Autoritetet kanë bërë apel që banorët të qëndrojnë larg vatrave të flakëve dhe të ndihmojnë në ruajtjen e qetësisë, ndërsa po merren masat e nevojshme për strehimin e të evakuuarve.


