Nga qyteti i Korçës, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka theksuar nevojën urgjente për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, duke u ndalur te situata paszgjedhore dhe rëndësia e adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
“Është koha tashmë që qeveria shqiptare por edhe parlamenti të miratojë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara e të tashme nga OSBE/ODIHR,” – u shpreh ambasadori Gonzato, duke përmendur qartë pritshmëritë që ekzistojnë nga partnerët ndërkombëtarë, por edhe nga qytetarët shqiptarë në rrugën e integrimit europian.
Ambasadori theksoi se rezultati dhe përgjegjësia për realizimin e kësaj reforme bie mbi qeverinë, e cila sipas tij, i ka kapacitetet dhe numrat e nevojshëm për të vepruar. Ai risolli në vëmendje edhe deklaratat e përfaqësueses së lartë të BE-së, që e kanë konsideruar këtë reformë si një prioritet kyç.
Duke folur për standardet e zgjedhjeve të 11 majit, Gonzato u ndal te raporti paraprak i OSBE/ODIHR, i cili evidenton një sërë problematikash. “Raporti paraprak pasqyron si kanë qenë këto zgjedhje, ndërkohë që përmenden dhe çështje si përdorimi i burimeve publike, disa presione te votuesit etj. Ndaj unë theksoj se këto rekomandime duhen adresuar dhe zgjedhjet e ardhshme të kryhen me një ligj elektoral të reformuar,” – u shpreh ai.
Ambasadori shprehu gjithashtu vlerësim për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK, duke i cilësuar si institucione që kanë bashkëpunuar në mënyrë shembullore në këtë proces.
Lidhur me qëndrimin e opozitës dhe mosnjohjen e zgjedhjeve, Gonzato theksoi se çdo parti ka të drejtën të ndjekë rrugët institucionale. “Çdo parti që mendon apo ndjen se ka pasur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato te organet përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Megjithatë, shpresoj që të dyja partitë, që kanë theksuar shumë herë dedikimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit në BE, do të punojnë realisht në këtë drejtim,” – u shpreh ai.
Deklaratat e ambasadorit Gonzato u bënë gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Korçës, ku u takua me kryetarin Sotiraq Filo, në kuadër të aktiviteteve të Javës së Europës.


