Një grup banorësh nga fshati Velitërnë në Maliq zhvilluan sot një protestë për shkak të mungesës së ujit të vaditjes, duke shprehur shqetësimin për pasojat serioze që kjo situatë po sjell në bujqësi. Ata u ankuan se sasia prej vetëm 30 litrash ujë në sekondë që përfitojnë përmes sistemeve të vaditjes është e pamjaftueshme, veçanërisht në këtë periudhë me temperatura të larta.
Banorët u shprehën se ky problem zgjat prej vitesh, ndërsa autoritetet nuk kanë arritur të organizojnë në mënyrë efektive shpërndarjen e ujit, i cili në disa raste derdhet në kanale të tjera të ujitjes.
Përgjegjësi i ujit në fshat, Besnik Dervishaj, tha se përpiqen të ndajnë ujin në mënyrë të drejtë mes fshatrave të zonës, por gjatë periudhës më intensive të vaditjes është e pamundur të plotësohen të gjitha nevojat.
Velitërna njihet për rendimentin e lartë në kultivimin e qepës dhe patates, kultura që kërkojnë ujitje të vazhdueshme për të ruajtur cilësinë dhe prodhimin. Në rast të vazhdimit të mungesës së ujit, fermerët paralajmërojnë humbje të mëdha në prodhim.


