I mituri Abdullah, i cili lindi dhe u rrit në kampet e konfliktit në Siri, është riatdhesuar së fundmi në Shqipëri duke kaluar nën kujdesin e familjarëve të nënës së tij. I mituri mbërriti i shoqëruar nga 79-vjeçarja Hajrije Taushani, e cila kishte shkuar në Siri në kërkim të të afërmve të saj dhe ishte kujdesur për fëmijët shqiptarë të mbetur pa prindër në kampin Al-Hol.
E kaluara e familjes dhe rruga drejt konfliktit
Babai i fëmijës, Bledar Hamza, i lindur në vitin 1985 në Leshnicë dhe i diplomuar për financë në Itali, u zhvendos fillimisht në Tiranë në vitin 2012. Në vitin 2013, ai u largua drejt Sirisë për t’u bashkuar me luftimet e të ashtuquajturit Shtet Islamik, ndërsa gjashtë muaj më vonë, në korrik të po atij viti, nga Aeroporti i Rinasit u nisën drejt tij bashkëshortja Resmie dhe vajza e tyre e mitur, Saida.
Bledar Hamza mbeti i vrarë në luftime pak muaj pas mbërritjes. Gjatë kësaj periudhe familja lindi vajzën e dytë, Merjemen, ndërsa nëna ishte shtatzënë me Abdullahun. Pas identifikimit të motrës së tij Merjeme në kampin Al-Hol në vitin 2020, kontaktet me nënën dhe dy motrat humbën tërësisht, duke lënë të paqartë fatin e tyre.
Riatdhesimi dhe jeta e re pranë të afërmve
Abdullahu kaloi fëmijërinë fillimisht në kampin Al-Hol dhe më pas në një tjetër qendër në Siri, përpara se të bëhej i mundur operacioni i riatdhesimit më 26 gusht. Ndonëse u rrit në kushte të vështira lufte dhe izolimi, atij i është mësuar gjuha shqipe, ndërsa tashmë ndodhet nën përkujdesjen e familjes së të ëmës.


