Bashkia e Pustecit ka sqaruar rrethanat e incidentit protokollar të 20 gushtit, ku gjatë një aktiviteti me praninë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua vetëm himni maqedonas dhe jo ai i Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, i cili e drejton këtë bashki që prej vitit 2019, deklaroi se organizimi i takimit ishte nën përgjegjësinë e shoqatës VMRO-DPMNE Shqipëri dhe jo të institucionit që ai drejton.
Paralajmërimi paraprak dhe largimi në shenjë proteste
Sipas Pali Kolefskit, përpara zhvillimit të ceremonisë u kërkua shprehimisht nga organizatorët që të respektohej protokolli zyrtar shtetëror. “Gjatë komunikimit paraprak me organizatorët, Kryetari i Bashkisë Pustec e ka bërë të qartë se, nëse në kuadër të ceremonisë do të ekzekutohej himni i Maqedonisë së Veriut, duhej të ekzekutohej edhe himni Kombëtar i Republikës së Shqipërisë”, pohohet në qëndrimin zyrtar. Pavarësisht dakordësisë, kërkesa nuk u zbatua gjatë programit. Kolefski sqaroi se qëndroi në aktivitet vetëm për të respektuar kryeministrin fqinj dhe menjëherë pas largimit të Hristijan Mickoskit, u largua nga festivali në shenjë proteste.
Ndërprerja e marrëdhënieve me shoqatën organizatore
Për shkak të mosrespektimit të simboleve kombëtare shqiptare, Bashkia Pustec do të kërkojë një sqarim zyrtar për mospërmbushjen e marrëveshjes protokollare. Pas këtij hapi, institucioni vendor planifikon të ndërpresë çdo marrëdhënie me Shoqatën VMRO-DPMNE Shqipëri. Gjithashtu, në të ardhmen do të vendoset kontroll i rreptë mbi agjendën për çdo aktivitet publik që zhvillohet në territorin e kësaj bashkie, e cila përfshin 9 fshatra përgjatë liqenit të Prespës: Pustecin, Shulin, Leskën, Zaroshkën, Cerjen, Goricën e Madhe, Goricën e Vogël, Diellasin dhe Gollomboçin.


