Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë përsëritur thirrjet për trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë për t’i hapur arkivat shtetërore dhe ushtarake, të cilat do të ndihmonin në zbulimin e vendndodhjes së mbi 1.500 njerëzve ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, bënë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, duke kërkuar bashkëpunim nga Serbia.
Kërkesa për bashkimin Evropian dhe sfidat e gërmimeve
Duke folur për sfidat e deritanishme në terren, Kurti theksoi se Kosovës po i kushton shumë koha dhe puna e gërmimeve në mungesë të të dhënave të sakta nga Beogradi. “Ne kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, posaçërisht nga Bashkimi Evropian, ku Serbia po synon të anëtarësohet dhe nga e cila Serbia merr fonde qindra e qindra milionëshe, që të bëjnë trysni për hapjen e këtyre dosjeve”, tha Kurti. Ai shtoi se është frustruese të bëhen gjithë këto gërmime pa gjetur trupa, ndërsa Haxhiu theksoi se mungesa e bashkëpunimit e ka bërë jashtëzakonisht sfiduese punën e autoriteteve kosovare për zbulimin e vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë.
Çështja e arkivit të Brigadës së 37-të dhe mbetjet e gjetura në Zubin Potok
Thirrjet vijnë në një kohë kur autoritetet zbuluan mbetje njerëzore të së paku 23 njerëzve, të cilët dyshohet të jenë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë gërmimeve në tri zona në veri të vendit, konkretisht në tri fshatra të Zubin Potokut, të cilat janë dërguar në Hagë për identifikim përmes ADN-së. As 27 vjet pas luftës, e cila shkaktoi 12.230 viktima, qindra mijëra të dëbuar dhe dëme të mëdha, Kosova kërkon në veçanti hapjen e arkivit të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, i shpallur sekret në vitin 2014 për një periudhë 30-vjeçare nga Ministria e Brendshme serbe. Kurti theksoi se Kosova nuk mund të presë deri në vitin 2044, ndërsa ekspertët e krimeve të luftës vlerësojnë se qasja në këto dokumente është jetike për zbardhjen e fatit të personave që ende rezultojnë të zhdukur nga ky konflikt.


