Përpara se t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, le të bëjmë një vështrim historik të bektashizmit.
1. Peripetitë dhe mbyllja e tarikatit Bektashi në Turqi
Njëra prej ngjarjeve më me rëndësi të shekullit XIX është ngritja dhe suspendimi i jeniçerëve në vitin 1826, e konsideruar si Vaka-i Hajrije (Ngjarje e shënuar), dhe mbyllja e të gjitha teqeve bektashiane në Shtetin Osman. Prishja e raporteve ndërmjet formacionit jeniçer dhe Shtetit Osman, mëvetësimi i Pashallëkut të Janinës në krye me Ali Pashë Tepelenën dhe mbyllja e teqeve bektashiane në qendrat e Shtetit Osman pas periudhës së Sulltan Mahmudit II, do të ndikojnë që një numër i madh i baballarëve bektashi të shpërngulen në Shqipëri dhe Shqipëria të bëhet parajsë e bektashinjve.
Tarikati Bektashi prej vitit 1827 e deri në vitin 1925 ka vepruar në formë gjysmë-ilegale, me përjashtim të periudhës së Abdylhamitit II, i cili ka qenë mjaft i afërt me grupin e Dedebaballarëve të Tarikatit Bektashi. Më 22 tetor të vitit 1923, Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë shpall Republikën, ndërsa Mustafa Qemal shpallet kryetar i parë i saj. Ataturku ndërmori reforma radikale politike, sociale, ekonomike e kulturore për ta modernizuar Turqinë nga prapambetja shekullore. Këto reforma nuk u pranuan lehtë, sidomos nga qarqet fetare sufiste atje, të cilat nuk e kishin mirëpritur abrogimin e Kalifatit dhe reformat e tjera. Rebelimi i Shejh Saidit kundër Ataturkut dhe politikave të tij, i cili u zhvillua në rajonin e Anadollit Lindor, bëri që pas shuarjes së rebelimit, parlamenti të nxirrte dekretin e datës 2 shtator 1925, ku u vendos mbyllja e tarikateve, teqeve dhe zavijeve në Turqi. Pronat e tarikateve u shtetëzuan, u konfiskuan nga shteti dhe klerikët u nxorën jashtë pa punë dhe status.
2. Sali Nijazi Dede
Veprimi i plotë ilegal i bektashinjve dhe mbyllja e kryegjyshatës, pikërisht i Teqesë së Haxhi Bektash Veliut në Turqi, fillon prej vitit 1925. Atëherë kryegjyshi bektashi, Salih Nijazi Dede (me origjinë shqiptare), kaloi në Shqipëri dhe me ndihmën e shtetit të atëhershëm dhe mbretit e vazhdoi aktivitetin e tij në Shqipëri. Po kush ishte Kryegjyshi i fundit Bektashi në Turqi?
Salih Nijazi Dede lindi në Starje të Kolonjës më 1876. Në moshën 20-vjeçare, filloi studimet fetare në teqenë e Haxhi Bektash Veliut, duke u njohur me doktrinën bektashiane. Në vitin 1897 u pranua myhib dhe u vesh dervish prej Kryegjyshit Haxhi Fejzi Dedej dhe më 1899 u bë myxhyret. Më 1916 ndërron jetë Haxhi Fejzi Dedei dhe në vend të tij Këshilli Gjyshnor i Kryegjyshatës emëron në postin më të lartë të Pirit, Sali Nijazi Deden, i cili e kreu si detyrë deri më 1925, kur Ataturku me ligj ndaloi të gjitha tarikatet dhe teqet, si dhe mbylli teqet bektashiane në Turqi. Kongresi III bektashian, në vitin 1929, do të merrte vendim që qendra e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane të vendosej në Shqipëri, dhe Kryegjysh të vazhdonte të ishte Sali Nijazi Dedei. Më 28 nëntor të vitit 1941, Sali Nijazi Dedeit i hynë në shtëpi për ta vjedhur dhe e qëlluan për vdekje bashkë me dervishin Aziz Levanin.
3. Sfidat e Bektashizmit në Shqipëri
Shpallja e Kryegjyshatës Bektashiane si Botërore kishte lidhje me Sali Nijazi Deden si Kryegjyshi i fundit Bektashi në Turqi. Kur ai erdhi në Shqipëri dhe e shpalli Kryegjyshatë Botërore, normalisht askush nuk e njohu si të tillë. Tarikati Bektashi ka qenë një realitet brenda Perandorisë Osmane dhe nuk ka bektashinj përtej kufijve të saj. Duke mos e njohur Turqia si të tillë, nuk e njeh askush për të tillë. Sot Kryegjyshata Bektashiane, nga Turqia njihet si Komuniteti Bektashian i Shqipërisë. Praktikisht Kryegjyshata nuk ka juridiksion përtej kufijve të Shqipërisë. Sali Nijazi Dede e kishte statusin e një kryegjyshi botëror legjitim, pasi në Perandorinë Osmane ishte zgjedhur nga përfaqësuesit e kohës. Por konfirmimi i tij në Shqipëri dhe zgjedhja pas tij e Kryegjyshit nga Këshilli Gjyshnor i Kryegjyshatës bëhet vetëm nga klerikë vendas dhe nuk ka përfaqësues nga ndonjë vend tjetër. Nëse do të ndodhte që të vinin përfaqësues nga Turqia apo vendet e tjera, nuk besoj se Kryegjyshi Botëror do të mund të zgjidhej shqiptar.
Prandaj mendoj se dhënia e një statusi të veçantë Kryegjyshatës Bektashiane nuk i siguron ndonjë privilegj për t’u njohur ndërkombëtarisht si “Botërore” nga vendet ku ka bektashinj. Arsyeja që Kryeministri lancoi publikisht ishte për shkak se është në rrezik shuarje, e cila tregon që ky komunitet përballet me sfida të mëdha. Personalisht e njoh mirë Bektashizmin dhe e di që këto sfida janë të brendshme, brenda komunitetit, dhe nuk kanë ndonjë ndikim të madh nga jashtë, të cilat mund të zgjidhen me dhënien e një statusi të veçantë.
Sfidat kryesore të Bektashizmit në Shqipëri, me të cilat përballet aktualisht, janë dy: Vazhdimësia e Klerikëve dhe paqartësia e doktrinës.
Duke qenë se për t’u bërë Dervish Bektashi është kusht të qenurit “myxherred”, pra celibat, i pamartuar, një kusht i tillë e ka vështirësuar rekrutimin e klerikëve të rinj. Edhe ata pak që janë rekrutuar, jo gjithmonë kanë pasur arsimin përkatës laik dhe fetar. Kjo sepse historikisht nuk ka pasur ndonjë shkollë teologjike ku mësojnë kandidatët për dervish apo klerikë fetarë bektashianë. Muhibet dhe dervishët janë edukuar nga Babai pranë të cilit kanë shërbyer. Nëse ai ka qenë i ditur, i ka edukuar, nëse ai s’ka pasur dituri, atëherë nuk kanë pasur ndonjë mundësi edukimi diku tjetër. Po të mendosh shkëputjen që i bëri komunizmi feve në Shqipëri, mund të merret me mend gjendja.
Sfida e dytë është ajo e qartësisë së doktrinës. Ende sot nuk ka ndonjë libër që të shpjegojë qoftë klerikëve, qoftë besimtarëve se çfarë duhet të besojnë dhe lidhja e bektashizmit me Islamin. I vetmi burim mbetet vepra “Misticizma islame dhe bektashizma” e Baba Rexhebit. Por edhe ajo për shumicën nuk është e kuptueshme, madje edhe për vetë klerikët. Praktikisht njerëzit besojnë si duan ata, pra në gjysmëpaganizëm. Duke mos pasur edhe një gjuhë komunikimi me të rinjtë për t’ua shpjeguar doktrinën, normalisht nuk ka vazhdimësi të doktrinës.
Sidomos pas deklaratave që në shtetin e ri Bektashi do të përdoret alkooli, gratë nuk do të mbulohen, etj., tregojnë që ka një paqartësi të doktrinës. Këto paqartësi dhe deklarata nuk e ndihmojnë për t’u njohur ndërkombëtarisht si përfaqësues i bektashinjve nëpër botë.
Prandaj, kam qenë skeptik nëse krijimi i shtetit Bektashi apo dhënia e një statusi të veçantë këtij komuniteti, do të zgjidhë sfidat që realisht ky komunitet ka.