Në vitet e fundit, fermat në Korçë, veçanërisht ato të bletarisë, drufrutoreve dhe të sektorëve të tjerë bujqësorë, po shndërrohen në destinacione gjithnjë e më të pëlqyera nga turistët e huaj.
Një interes i veçantë po vihet re për fermat e bletëve, të cilat ofrojnë jo vetëm produkte natyrale dhe të certifikuara si mjalti, propolisi apo dylli, por edhe një eksperiencë unike për vizitorët që dëshirojnë të prekin nga afër jetën rurale dhe natyrën shqiptare.

Turistët, sidomos ata nga Europa Perëndimore, janë gjithnjë e më të interesuar për udhëtime larg turizmit tradicional masiv, duke kërkuar eksperienca të reja dhe autentike. Shumë prej tyre vizitojnë ferma ku mund të përfshihen personalisht në aktivitete si nxjerrja e mjaltit, përgatitja e produkteve artizanale si recelrat, ose vjelja e frutave.

Ky trend, i njohur si agroturizëm, po fiton terren në të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga jugu në veri, duke kontribuar jo vetëm në diversifikimin e ofertës turistike, por edhe në zhvillimin ekonomik të zonave rurale dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.


