Birçe Hasko, i lindur në Dukat të Vlorës në 15 mars 1942, është aktor i njohur shqiptar. Mbas mbarimit të shkollës “Jani Minga” të Vlorës punoi si mësues në Memaliaj, ku angazhohet me trupën e Estradës amatore të qytetit.
Në vitin 1965 fillon studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Mbas diplomimit Birçe Hasko mbahet pedagog pranë këtij Instituti. Për disa dekada ka dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role.
Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh”, shkruar nga Teodor Laço. Një kontribut të çmuar ka dhënë në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role.
Një pyetje disi “patriakale”, Birçe. Familja juaj, Haskot, jeni të gjithë të kënduar, të arsimuar. Trashëgimi, genet, apo…?
-Jo, jo. Janë ca nga të gjitha. Ne kemi qenë 8 fëmijë, 6 vëllezër e dy motra. Shtatë nga këta morën arsim të lartë.
Vetëm një motër mbeti me arsim të mesëm. Të tërë kemi qenë me nivel të lartë në mësime. E di pse?
Sepse babai ynë, ndjesë pastë, ishte shumë arsimdashës. Ishim të varfër, nga më të pikurit në Dukat.
I thoshte fshati babait. Dërgoji djemtë tek filani për të ruajtur bagëtitë. Ishte fjala për të nxjerrë bukën e gojës. Ai kurrë nuk e bëri këtë. Mesa duket kishte vendosur të zhdukte injorancën në familje.
Në aspektin shpirtëror jam servil ndaj fëmijëve të mi. Sot, miku im, kanë ndryshuar shumë gjërat, janë përmbysur.
Sot ka njerëz që po t’u thuash kafshë, ofendon kafshën. Megjithatë, për çka shikoj e dëgjoj, jam i aftë vetëm të dëshpërohem, nuk mund të urrej dot. Këtë ia dëshiroj edhe politikës. Ajo, pra politika, duhet të konkurrojë për të çuar vendin përpara, aty ku na kanë premtuar.
Megjithatë, si qytetar i thjeshtë i vendit tim e kam një dhimbje. Kam atë që po e trajtojnë Shqipërinë si vend pa zot. Është e dhimbshme dhe e frikshme. Nga e kaluara kemi mohuar gjithçka. Është njësoj sikur të mohosh prindërit. Po mirë, kopilë po na bëni more zotërinj që na mohoni gjithçka të kaluar? Këtë pyetje e bëj unë, nuk e di çmendim kanë të tjerët. E kam fjalën që nuk duhet fluturuar.
Unë Birçe Haskua, ndjehem i privilegjuar që kam jetuar me ndershmëri. Nuk kam frikë nga kurrkush. Unë, “Artisti i Merituar”, “ Mjeshtri i Madh”, e plot dekorata të tjera si këto, do të përcillem në atë botë me një pension shumë të vogël dhe nga një banesë po kaq të vogël. Por kënaqësitë shpirtërore ama, i kam deri atje, në majë./