Përtej situatës së vështirë që po kalon ekipi i Skënderbeut për shkak të pozicionit në renditje dhe mungesës së fitores, besimi në kampin bardhekuq ende nuk është shuar.gjokaJo vetëm kaq, por shpresat janë shumë të forta se skuadra do të dijë të reagojë në pjesën e mbetur të kampionatit duke dalë nga kjo pozitë ku ndodhet për momentin.
I këtij mendimi është trajneri i Skënderbeut Ernest Gjoka i cili në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, tregon se kush është shkaku kryesor i kësaj gjendjeje momentale dhe jep shpresa se ky ekip nuk është dorëzuar ende, por përkundrazi beson te ringritja dhe rikuperimi i pikëve që janë në lojë.
Gjoka, një muaj në krye të Skënderbeut por ende asnjë fitore. Keni folur për gropë ndeshjen e fundit. Për çfarë iu referuat?
Është një gropë e madhe për pikë dhe kjo ka qenë konteksti i asaj fjale të dhënë nga unë. Që në momentin e parë kur unë erdha në Korçë tentuam që të jepnim shenja ndryshimi. Disa shenja unë i kam parë dhe ekipi është përgjigjur apo ka reaguar. Por, na mungojnë pikët dhe gropa është pikërisht për këtë fakt, mungesën e pikëve. Mund të luash futboll të mirë dhe të japësh sinjale pozitive por kur mungojnë pikët atëherë bëhet gjithçka e vështirë dhe të gjitha nuk merren parasysh.
Kur kanë kaluar dy faza kampionat dhe është kjo situatë, a mendoni se një pjesë e grupit është dorëzuar?
Absolutisht jo, nuk është dorëzuar askush, madje besojmë shumë se do ta kalojmë të gjithë sëbashku këtë gjendje. Askush nuk është dorëzuar. Ne tashmë po mundohemi që të ndryshojmë mentalitet dhe të shohim vetëm përpara për të përmirësuar gjithçka që kemi bërë keq në këtë pjesë të parë të sezonit. Jam i bindur se reagimi do të vijë shumë shpejt pasi nuk shoh asnjë problematikë tjetër në këtë grup dhe në këtë klub.
Sipas jush nga se vjen kjo situatë e vështirë?
Personalisht mendoj se shkaku kryesor është humbja e garancisë për të marrë fitoren. Kjo besoj se ka dëmtuar grupin e Skënderbeut dhe tani është bërë e vështirë që të menaxhosh edhe një ndeshje që e ke nisur mirë. Ana psikologjike na pengon shumë dhe po punojmë që të tregojmë se jemi në gjendje të kalojmë këtë moment dhe të ecim me rezultate pozitive ashtu siç i shkon përshtat këtij ekipi.
A do të ketë ndryshime në ekip sikundër flitet në prag të hapjes së merkatos?
Unë kam besim se klubi do të dijë të veprojë mirë në këtë merkato dhe të na sjellë elementët për të cilët kemi biseduar tashmë. Mendoj se do të jetë një ndryshim i mirë duke forcuar më shumë grupin dhe duke krijuar një ekip më kompetitiv për vijimin e kampionatit.
Sa e vështirë është të gjesh elementët cilësorë në janar?
Është pak periudhë specifike pasi nuk është e lehtë që të godasësh saktë në këtë moment të merkatos. Por, jemi duke punuar dhe do të bëjmë zgjedhjet me kujdes me qëllim që ata lojtarë që do të afrohen të jenë të vlefshëm për ekipin dhe të japin impulsin e duhur në skuadër.
Sipas jush ky ekip e ka boshtin e duhur për tu ringritur?
Sigurisht që po. Është një grup që ka cilësi dhe boshti për të cilin ju flisni është këtu. Ju siguroj për këtë. Thjesht duhet që të lemë pas këtë moment dhe të vijojmë punën me kokën poshtë dhe të përqendruar.
Cili është mesazhi që Gjoka do të japë në këto ditë të fundit të vitit?
Mesazhi im është ai që ua kam thënë lojtarëve që në ditën e parë. Të kenë parasysh gjithmonë se në çfarë ekipi kanë ardhur. Çfarë fanellë po veshin dhe çfarë po përfaqësojnë. Prandaj duke pasur parasysh këto duhet të punojmë fort me objektivin e vetëm që të kthejmë Skënderbeun në nivelin që i takon si një ekip i rëndësishëm që ka lënë gjurmë në futbollin tonë dhe atë europian.


