Korça po bëhet gati për një udhëtim të veçantë përmes muzikës dhe ritmeve të bandave frymore. Më 24, 25 dhe 26 tetor, qyteti do të presë edicionin e parë të Festivalit të Bandave Frymore, që sjell mbi 150 artistë nga Shqipëria, Kroacia, Italia, Kosova dhe Greqia.
Drejtoresha e Qendrës së Kulturës dhe Inovacionit, Blerta Belliu, e cilësoi këtë festival si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore që do të kthehet në brand të Korçës, falë traditës dhe historisë së qytetit me muzikën frymore. Programi përfshin tre net me aktivitete të ndryshme: ekspozitën “Retro Korça” me instrumente dhe fotografi historike, marshimin e të gjitha bandave, masterklasa profesionale dhe kulmimin me një koncert gala në natën e 25 tetorit.
Në nderim të artistit të njohur korçar Lulushi, festivali mbart edhe një dimension mirënjohjeje ndaj figurave që kanë lënë gjurmë në kulturën muzikore të qytetit. Kuratori Ilir Kodhima theksoi se ngjarja do të shërbejë si hapësirë për shkëmbim artistik dhe rritje profesionale.
Ndërsa nënkryetarja e Bashkisë Korçë, Benila Themeli, u shpreh se festivali i shtohet kalendarit të ngjarjeve që promovojnë turizmin kulturor:
“Ky event nuk është vetëm një festë muzikore, por edhe një mundësi për të tërhequr vizitorë dhe për ta pozicionuar Korçën si qendër të kulturës dhe artit në rajon.”
Festivali i Bandave Frymore pritet të sjellë atmosferë, emocion dhe energji në qytet, duke dëshmuar se Korça di të mbajë gjallë traditën përmes artit dhe muzikës.


