Valët e nxehtësisë që kanë përfshirë Korçën këto ditë kanë sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në shërbimin e urgjencës pranë Spitalit Rajonal të qytetit.
Vlefta Bejko, përgjegjëse e urgjencës, thotë se kjo situatë është e pritshme gjatë stinës së verës. Sipas saj, pacientët paraqiten kryesisht me probleme si dehidratimi, lodhja nga temperaturat e larta dhe shqetësime të tjera të lidhura me nxehtësinë ekstreme.
Lajmi i mirë është se, prej tre javësh, nuk është shënuar rritje e rasteve në repartin e kardiologjisë, duke treguar një stabilitet për pacientët që vuajnë nga sëmundjet kardiake.
Megjithatë, mjekja Bejko u bën apel sidomos të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike që të kufizojnë daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të konsumojnë mjaftueshëm lëngje, për të shmangur problemet shëndetësore që mund të shkaktojë vala e të nxehtit.



