Rreth 200 banorë të lagjes së re në qytetin e Maliqit po përfitojnë tashmë kushte më të mira jetese, falë investimit të Bashkisë për asfaltimin dhe sistemimin e të gjitha rrugëve të kësaj zone. Ndërhyrja është realizuar në kuadër të projektit të asfaltimit të rrugëve të brendshme për vitin 2025, me një fond prej 7.1 milionë lekësh, të siguruar nga të ardhurat e vetë bashkisë.
Lagjia e re është krijuar vitet e fundit dhe është e banuar kryesisht nga familje të zonës së Moglicës, të cilat u shpërngulën për shkak të ndërtimit të hidrocentralit Devoll Hydropower dhe përmbytjes së banesave të tyre. Investimi ka përfshirë shtrimin e rreth 2100 metrave katrorë asfalt në tre rrugë kryesore, tre rrugica si dhe në sheshin e pallatit të zonës.
Sipas Bashkisë Maliq, ky investim synon rritjen e sigurisë, përmirësimin e qarkullimit dhe cilësisë së jetesës për banorët, duke u krijuar atyre kushte më të mira infrastrukturore dhe një mjedis më të përshtatshëm për jetën e përditshme.


