Ndjesë publike!
Nisur nga një emision televiziv rreth një muaj më parë në TVSH ku diskutohej një çështje sensitive si abuzimi,
unë kam shprehur shqetësimin tim mbi problemin dhe në diskutim e sipër e ngarkuar me peshën e dhimbjes që lidhet me fenomenin, kam bërë një ndërhyrje ne lidhje me nje fshat ne zonen e Mokres të cilën e vlerësoj të gabuar, të papërshtatshme dhe emocionale.
Ju siguroj se qëllimi i komunikimit tim në këtë program nuk ka qenë të fyej, lëndoj e as sterotipizoj banorët e një zone të caktuar, përkundrazi, qëllimi ka qenë mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe mbështetja e familjeve në nevojë.
Personalisht kam një respekt të palëkundur për banorët e Mokrës dhe angazhimi im shumëvjeçar e intensiv për të ndihmuar banorët dhe sidomos fëmijët nga familje me nevoja ekonomike dhe ata me nevoja të veçanta, janë treguesi më i mirë i dashurisë, dhe solidaritetit ndaj banorëve të zonës.
Në Mokrën me natyrë mahnitëse jemi takuar me njerëzit me shpirt të pasur, të cilët me mikpritjen dhe bujarinë e tyre pasurojnë jetën e çdo njeriu që në fillim shkon si vizitor, por gjithnjë kthehet si mik në Mokër.
Ndihem shumë keq me keqkuptimin e shkaktuar nga gabimi im emocional dhe shpresoj që ndjesa ime e sinqertë të pranohet nga kushdo prej banorëve që është ndjerë i prekur nga fjalët e mia të adresuara gabim.
Uroj me gjithë shpirt që kjo ndërhyrje e imja të mos kishte ndodhur, dhe është e sigurtë që nuk do të përsëritej në asnjë rrethanë jo emocionale dhe natyrisht ne asnje rast tjeter. Do të dëshiroja që video nga programi i këtij debati të hiqet nga qarkullimi, sepse nuk i shërben askujt.
Çdo njeri është subjekt gabueshmërie, por tek secili nga ne gjendet forca e pendesës dhe faljes.
Duke shprehur gjithë respektin për ju, përfitoj të falënderoj gjithë banorët e zonës për miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë që kemi prej dekadash për të ndihmuar fëmijët dhe familjet në zonën e Mokrës mes sfidash për të kapërcyer vështirësitë e jetës.
Lutem për bekimin e Zotit mbi të gjithë ju dhe familjet tuaja!
Sinqerisht, Lindita Pano


