Sektori i Ujitje-Kullimit në Bashkinë Maliq prej disa ditësh po punon intensivisht në zonën e Vloçishtit për pastrimin e kanaleve kulluese. Qëllimi kryesor i këtij aksioni është parandalimi i përmbytjeve të tokave bujqësore gjatë stinës së dimrit, kur reshjet e dendura shpesh herë kanë shkaktuar probleme
Fusha e Maliqit, me një sipërfaqe prej rreth 1300 hektarësh, është një nga më të mëdhatë në vend dhe një nga burimet kryesore të prodhimit bujqësor në juglindje të Shqipërisë. Për këtë arsye, mirëmbajtja e kanaleve kulluese mbetet domosdoshmëri për të garantuar sigurinë e tokave dhe për të shmangur dëme të mundshme tek fermerët.
Punimet për pastrimin e kanaleve po kryhen që tani, në prag të stinës së reshjeve, në mënyrë që strukturat përgjegjëse të jenë të përgatitura për çdo situatë të mundshme përmbytjeje. Autoritetet vendore theksojnë se investimi në mirëmbajtje është mënyra më e mirë për të mbrojtur prodhimin bujqësor dhe për të lehtësuar punën e qindra fermerëve që jetojnë me të ardhurat nga kjo fushë.


