Ekipet e Bashkisë Pogradec kanë vijuar punën në terren për pastrimin e lumenjve dhe grykëderdhjeve të tyre, me qëllim parandalimin e ndotjes dhe mbrojtjen e ekosistemit ujor. Pas bashkëpunimit me banorët e zonës, u bë e mundur futja e mjeteve të punës në lumin e Vërdovës, ku për shkak të rrethimit me prona private ndërhyrja kishte qenë e pamundur më herët.
Ndërkohë, në grykëderdhjen e lumenjve Rëmenj–Starovë janë larguar sasi të mëdha mbetjesh plastike dhe urbane. Kjo situatë tregon edhe njëherë mungesën e ndërgjegjësimit në komunitet lidhur me rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Bashkia kujton se hedhja e mbetjeve në lumenj shkakton ndotje të konsiderueshme, e cila përfundon drejtpërdrejt në liqen.
Pavarësisht se në çdo fshat janë vendosur kontenierë dhe kryhet pastrim i përditshëm, problematika vijon. “Ne do të bëjmë detyrën tonë, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të hedhë mbetje pa përgjegjësi dhe pa asnjë kriter,” theksohet nga Bashkia Pogradec, duke bërë apel për bashkëpunim dhe respektim të rregullave për mbrojtjen e mjedisit.


