Rruga Pogradec-Tushemisht-Doganë, Loti 2, do të rikonstruktohet plotësisht dhe për këtë tashmë është nënshkruar kontrata me një vlerë 3.48 milionë dollarësh. Në këtë vlerë përfshihet edhe Tatimi mbi Vlerën Shtuar.
Autoriteti Kontraktor i kësaj procedure ishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili njoftoi më herët edhe mbi nënshkrimin e kontratës me operatorin fitues.
Sipas njoftimit, zbatimi do të bëhet nga bashkimi i operatorëve “4 A – M” sh.p.k. & “GPG Company” sh.p.k. Punimet e përcaktuara në kontratë sa i takon rikonstruksionit të plotë të rrugës parashikohet të mbyllen brenda 6 muajve. Në gare morën pjesë tetë kompani me oferta të ndryshme.
“Projekti synon rikonstruksionin e plotë të rrugës Pogradec-Tushemisht. Punimet e kërkuara përbëhen nga: ndërtimi i rrugëve, rikonstruksioni i rrugëve, punimet e përmirësimit urban, punimet e rehabilitimit të peizazhit.
Rindërtimi i rrugës do të rrisë vlerën e aseteve përreth, do të lehtësojë aksesin dhe lëvizshmërinë e banorëve të zonës dhe aksesin në kala nga turistët.
Punimet e kërkuara sipas kësaj kontrate konsistojnë kryesisht në: Lëvizja dhe gërmimi i dheut, shtrimi dhe ngjeshja e shtresave të nënshtresës së rrugës, punimet e asfaltit, punimet komunale, betoni dhe armatimi e punimet e peizazhit”, thuhet në specifikimet e publikuara në faqen e FSHZH.
Rruga Pogradec-Tushemisht-Doganë është pjesë e projektit të Konektivitetit të Rrugëve Rajonale dhe Lokale, i cili mbështetet nga Banka Botërore prej disa vitesh tashmë. Ai parashikon ndërhyrje në rritjen potenciale të aktiviteteve bujqësore dhe turistike duke përmirësuar aksesin në zonat e përzgjedhura, si dhe forcim të kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e aseteve të tyre rrugore.
Ky projekt ka një fond prej 50 milionë USD dhe përbëhet nga tre komponentë kryesorë: Punimet civile dhe iniciativat për sigurinë rrugore; forcimi i kapaciteteve për NjQV-të; menaxhimi gjatë zbatimit.
Këta komponentë sipas shpjegimit të projektit, synojnë: përmirësimin e aksesit, nëpërmjet rehabilitimit të rrugëve rajonale dhe lokale brenda gjurmës ekzistuese, përmirësimin e elementëve të qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike në bashkitë e përzgjedhura, rritjen e sigurisë rrugore dhe vendosjen e trotuareve, korsive për biçikleta, gjelbërim etj., forcimin e kapaciteteve të bashkive për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e aseteve të tyre rrugore, mirëmbajtjen e sistemit të informimit gjeografik (GIS) dhe bazën e të dhënave prioritare për rrugët rajonale dhe lokale.