Humbja e Skënderbeut në shtëpi me Laçin nuk ka qënë një rezultat i mirë për korçarët që kanë zhgënjyer kështu përballë një mundësie e cila do të rihapte plotësisht garën sa i përket qëndrimit në Superiore, për ta bërë akoma edhe më emocionuese dhe të fortë këtë luftë në fund të tabelës.
Pas golit të dytë të shënuar nga kurbinasit presidenti i klubit korçar të futbollit Ardjan Takaj është parë të lerë stadiumin duke shprehur qartazi mërzinë për këtë humbje e cila në këtë pikë të kampionatit do të ketë peshë të madhe.
Takaj ka qënë tejet i mërzitur nga paraqitja e ekipit të tij, aq sa nuk ka pranuar të takojë njeri pas ndeshjes. Madje, nga sa flitet në ambientet e brendshme të klubit. Ai ka kërkuar reagim nga ekipi i tij në ndeshjen e radhës, në të kundërt pritet që të nisin edhe masat ndëshkimore për lojtarët.
I pakënaqur me qasjen që ekipi i ka bërë një ndeshjeje kaq të vështirë dhe delikate, Takaj pritet që të bëjë një mbledhje me skuadrën në Durrës gjatë kësaj jave duke vendosur edhe ultimatumet e veta, sa i takon reagimit të ekipit dhe penalitetet e rastit, nëse nuk do të plotësohet diçka e tillë.
Një ultimatum ky që tregon se gjithçka po kalon limitet e durimit dhe reagimi në ndeshjen e radhës është e vetmja mënyrë për të rikthyer disi në normalitet situatën.
Burimi i postimit: Panorama Sport Online.


