Moderatorja sportive Viola Spiro ka ndarë një përvojë personale mbi paragjykimet me të cilat është përballur kur u transferua në Tiranë për studime. Gjatë një interviste në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ajo tregoi se shpesh i referoheshin si “provinciale”, një etiketim që nuk e kishte përjetuar as gjatë fëmijërisë së saj në Greqi.
Spiro theksoi se në Korçë, qytetin e saj të origjinës, nuk kishte ndjerë kurrë një ndarje të tillë, pasi ky qytet ishte i njohur si një vend i hapur dhe i frekuentuar nga elita dhe intelektualët e Shqipërisë.
“Për mua, Tirana ishte e prapambetur krahasuar me Korçën, sepse atje kishim ruajtur identitetin dhe kulturën tonë,” – u shpreh ajo, duke shtuar se ndryshimi i dialektit ishte një nga gjërat e para që e bënte të ndjehej e ndryshme.
Spiro ndau se, ndryshe nga paragjykimet që kishte hasur në Tiranë, në Greqi nuk ishte ndjerë kurrë e përjashtuar, pavarësisht se grekët njihen për ndjenja nacionaliste. Sipas saj, përshtatja atje ishte më e lehtë, ndërsa në Tiranë u përball me stereotipe të forta mbi qytetin e saj.
“Korça nuk është si provincat e tjera, të ngurta apo të mbyllura. Ka qenë gjithmonë një qytet i zhvilluar, dhe kjo na bënte të shihnim ndryshe disa sjellje në Tiranë,” – përfundoi ajo.


