Partizani dhe Tirana kanë kaluar me sukses raundin e parë të gjysmëfinaleve në Superligën e volejbollit për meshkuj. Të kuqtë dhe bardheblutë fituan mbrëmjen e djeshme gjysmëfinalet e vajtjes përkatësisht kundër Studentit dhe Skënderbeut, duke u afruar kështu me kualifikimin për në finale.
PARTIZANI-STUDENTI – Të kuqtë e Ylli Tomorrit janë si një makineri perfekte këtë sezon, duke mos u dhënë asnjë shans rivalëve, teksa njohin vetëm fitore të pastra. Edhe në gjysmëfinalen e parë kundër Studentit, Partizani tregoi forcën, duke triumfuar me rezultatin 3-0 në Farkë, në një takim që zgjati 1 orë e 18 minuta. E vetmja notë negative ishte numri i pakët i spektatorëve, me derbin që u zhvillua në një sallë të boshatisur. Kualiteti dhe organizimi i Partizanit bënë edhe një herë diferencën në parket, ndërsa me gjithë përpjekjet, Studenti e kishte të pamundur që të bënte më shumë ndaj një kundërshtari të tillë. Kështu të kuqtë e nisën më së miri, duke marrë setin e parë 25-18. Edhe i dytë u kontrollua pa shumë problem nga kampionët në fuqi, fraksion që u mbyll 25- 15. I ngjashëm ishte edhe seti i tretë, me Partizanin që komandoi në lojë, duke fituar 25- 17, për të hipotekuar fitoren në raundin e parë të gjysmëfinaleve, duke bërë hapin e radhës drejt mbrojtjes së fronit.
SKËNDERBEU-TIRANA – Bardheblutë morën një triumf me peshë në transfertë, duke mposhtur Skënderbeun me rezultatin 1-3 në gjysmëfinalen e zhvilluar në Korçë. Skuadra e Arben Sakos shkëlqeu në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, teksa i mbylli llogaritë për 1 orë e 46 minuta. Kryeqytetasit i treguan muskujt menjëherë, duke dominuar në setin e parë, ku fituan thellë 15-25. Seti i dytë ishte më i luftuar, ndërsa Skënderbeu u tregua më i saktë, për të fituar 25-23, duke rikthyer baraspeshën. Megjithatë bardheblutë komanduan në dy setet e radhës, teksa morën 21-25 të tretin dhe 19-25 të katërtin, duke fituar kështu gjysmëfinalen e parë. Meksikani Isaias Aguirre, spikati edhe një erë tjetër në lojën e Tiranës, duke realizuar 22 pikë në Korçë, mbështetur nga Fabio Hoxha e Julian Talaj me nga 12 pikë si dhe nga Norgen Baruti me 10 pikë. Për Skënderbeun, dyshja amerikane Tanner Wooods dhe Caylor Cox e mbyllën përkatësisht me 22 dhe 12 pikë. Të dielën do të jetë radha për gjysmëfinalet e dyta të “play off”-it.


