Punimet në lotin e tretë të kantierit të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë po avancojnë me ritme të shpejta, me synimin për të përfunduar këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore brenda verës së këtij viti.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi në terren deklaroi se pavarësisht sfidave të vështira gjeologjike, progresi në të tre lotet e kantierit ka arritur mbi 85%.

“Kantieri po ecën shumë mirë, pavarësisht kushteve të vështira klimatike në zonën malore ku ndodhet. Gjatë dimrit puna është e pamundur, ndërsa edhe tani, në maj, temperaturat janë ende të ulëta. Megjithatë, puna po vijon me dy turne dhe me angazhim maksimal, me qëllim përfundimin e projektit brenda këtij viti”, theksoi Balluku.

Ministrja kërkoi nga kontraktorët që krahas intensifikimit të punimeve, të kushtohet vëmendje e veçantë sigurisë në punë dhe standardeve të ndërtimit, nën mbikëqyrjen e supervizorëve të huaj.

Aktualisht, në këtë aks janë angazhuar 3 kompani ndërtimi, 150 punëtorë dhe mbi 90 mjete të rënda.

Ky projekt është pjesë e Korridorit 8 dhe ka një rëndësi strategjike për lidhjen e aksit Tiranë-Elbasan me zonat juglindore të vendit. Përmes tij, do të përmirësohen parametrat e qarkullimit rrugor, do të shkurtohen ndjeshëm distancat drejt pikës kufitare të Kapshticës dhe qyteteve si Korça dhe Pogradeci.

Aksi Qukës-Qafë Plloçë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e turizmit, zhvillimin e bujqësisë në zonat rurale të Mokrës dhe fshatrave përreth, si dhe në lehtësimin e transportit të mallrave nga porti i Durrësit drejt Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës.


