Nga 30 shtatori janë hapur aplikimet për fermerët dhe grupimet e fermerëve që duan të përfitojnë nga skema e investimeve në bujqësi, ku në dispozicion janë vendosur 15 milionë euro.
Për qarkun e Korçës janë tre skema në dispozicion të fermerëve. Për masën rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, përfitimi do të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15.5 milion lekë/ha.
Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 hektarë dhe jo më shumë se 5 hektarë. Referuar udhëzimit, do të mbështeten fermerët për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me kapacitet jo më pak se 10 lopë, jo më pak se 100 të imta, jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10 mijë shpendë.
Masa e përfitimit do të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 milionë lekë për subjekt.
Gjithashtu për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit do të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 milionë lekë për subjekt.
Aplikimet mund të kryhen gjatë 5 javëve në vijim pranë Agropikave.


