Amortizimi i trotuareve dhe mungesa e standardeve uniforme në shtrimin e kalldrëmeve po shfaqen si një problematikë shqetësuese për infrastrukturën urbane në disa prej zonave më të frekuentuara të Korçës.
Në rrugët kryesore si Bulevardi Republika, rruga Kastrioti, në lagjet historike 1, 2 dhe 3, si dhe në zonën turistike të Pazarit të Vjetër, vërehen trotuare të pa sistemuara dhe ndërhyrje që cilësohen si sipërfaqësore. Cilësia e gurit dhe mënyra e shtrimit në segmente të caktuara të kalldrëmeve nuk ofrojnë një pamje uniforme, duke cenuar imazhin që qyteti synon të përcjellë te banorët dhe vizitorët.
Krahasimi me modelin e ndërhyrjeve në Pogradec
Ndërkohë, një qasje tjetër infrastrukturore po zbatohet në Pogradec, ku projektet e fundit në zonën e Starovës dhe shëtitoren e Tushemishtit përfshijnë pako të plota investimi me asfaltim, dy trotuare, ndriçim publik, barriera anësore dhe rehabilitim fasadash. Këto ndërhyrje tregojnë një model ku infrastruktura publike realizohet si një paketë e integruar urbane.
Për të ruajtur asetet e veta të veçanta arkitekturore, Korça kërkon mirëmbajtje periodike dhe materiale cilësore. Vëmendja ndaj detajeve si rrugicat, ndriçimi i përshtatshëm dhe kalldrëmi mbetet e domosdoshme si për jetën e përditshme të banorëve, ashtu edhe për përvojën e turistëve.
Foto ilustruese.


