Edhe pse në prag të vitit të ri, Bashkia Maliq vazhdon të angazhohet për të përmirësuar infrastrukturën dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të saj.
Bashkia Maliq vijon përmirësimin e infrastrukturës në fshatrat e saj me dy projekte të rëndësishme rehabilitimi, të cilat pritet të sjellin përfitime të ndjeshme për komunitetin lokal.
Në fshatin Zëmblak, Njësia Administrative Pojan, po zbatohet një projekt i financuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, i cili përfshin rehabilitimin e pritave malore, kolektorit të ujërave të larta në gjithë gjatësinë e fshatit dhe sistemimin e disa segmenteve rrugore. Ky investim, i pari i këtij lloji në Zëmblak, vlerësohet si një hap i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së banorëve dhe mbrojtjen nga përmbytjet.
Ndërkohë, në fshatin Velitërnë, Njësia Administrative Pirg, do të nisë së shpejti puna për “Sistemimin e sheshit në qendër të fshatit.” Ky projekt është pjesë e programit për rehabilitimin e rrugëve për vitin 2024 dhe përmbush një kërkesë të hershme të banorëve.
Investimi financohet nga fondet e Bashkisë Maliq dhe përfshin ndërhyrje të tjera të planifikuara për disa fshatra të tjerë të bashkisë.